Site icon Telegrafi

Thaçi vlerëson lart rolin udhëheqës të Mbretëreshës Elizabeta

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, e cila është organizuar për nder të ditëlindjes së 91-të të Lartmadhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeta.



Presidenti Thaçi ka thënë se një udhëheqëse e urtë si Mbretëresha Elizabeta, e cila ka bashkuar popullin e Mbretërisë së Bashkuar, duke e përfaqësuar kombin si një popull miqësor dhe lider në përhapjen e vlerave si siguria, liria, drejtësia dhe solidariteti, do të shërbejë gjithmonë si shembull i mirë për të gjithë ne.

“Mbretëria e Bashkuar përgjatë gjithë këtyre viteve ishte dhe mbetet nder shtetet më mike. Është përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë sonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe konsolidimit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar ishte ndër shtetet më të angazhuara për lirinë e Kosovës.

“Vëmendja dhe mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën u dëshmua edhe me vizitën e Princit Charles në Kosovë, në mars të vitit të kaluar, kur ndaloi dhe mori pjesë në diskutime edhe me familjarët e personave të pagjetur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se Kosova është krenare që ka kultivuar raporte të veçanta me Mbretërinë e Bashkuar dhe se do të punohet që kjo miqësi të thellohet edhe më shumë. /Telegrafi/

Exit mobile version