Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar sot veprimtarin Bajrush Behrami, duke thënë se vdekja e Behramit është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë brezin e tij politik, me të cilin punoi dekada të tëra.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Bajrush Behrami ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik për vite të tëra dhe mbështetës i pa kompromis i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vdekja e veprimtarit të shquar Bajrush Behrami është humbje e madhe për familjen miqtë dhe gjithë brezin e tij politik, me të cilin punoi dekada të tëra. Bajrushi ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të viti 1981, i burgosur politik për vite të tëra dhe mbështetës i pa kompromis i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bajrush Behrami dha kontribut të çmuar edhe në ndërtimin e jetës institucionale pas luftës. Ai u shqua për talent në artin vizatimit dhe pikturës, duke lënë prapa vetes një trashëgimi artistike, që shprehte shpirtin e tij artistik dhe bindjet atdhetare. I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij”, shkruan Thaçi në Facebook.
Ndryshe, veprimtari Bajrush Behrami ndërroi jetë të dielën në moshën 62-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër.
Sot në ora 12:00 mbahet mbledhje komemorative, ndërsa varrimi i të ndjerit bëhet në ora 17:00 në varrezat e qytetit në Podujevë. /Telegrafi/