Telegrafi

Thaçi vazhdon me ndarjen e Medaljeve Presidenciale

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vazhduar me ndarjen e dekoratave. Ai dekoroi me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë komandantin Shaban Polluzha (pas vdekjes) për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Thaçi në Facebook shkruan se Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane themelet i ka në gjakun dhe kontributin e figurave të mëdha historike.

Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:

“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë dekorova Komandantin Shaban Polluzha (pas vdekjes) për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kryengritja e komandantëve Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica me bashkëluftëtarët e tyre, ishte shprehja më e mirë e mospajtimit të Kosovës me robërinë e re të diktaturës komuniste, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane themelet i ka në gjakun dhe kontributin e figurave të mëdha historike”. /Telegrafi/