Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Ndihmës-sekretarin e Mbrojtjes për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Sigurisë së SHBA-së, Robert S. Karem.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar ndihmës-sekretarin Karem për ardhjen e tij në Kosovë për dhjetëvjetorin e pavarësisë, me të cilën është dëshmuar përkushtimi amerikan për shtetin e Kosovës, njofton Telegrafi.
“Vizita dhe mesazhet tuaja përkrahëse i kanë dhënë edhe më shumë kuptim festës sonë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se FSK-ja është e gatshme të transformohet në ushtri të Kosovës dhe kjo do të bëhet në partneritet me SHBA-në.
Kurse, Ndihmës-sekretari i Mbrojtjes për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Sigurisë së SHBA-së, Robert S. Karem, e ka uruar presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së në të gjitha nivelet e bashkëpunimit.
Kreu i shtetit ka pohuar se SHBA-ja është partneri më strategjik i Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes në forcimin e subjektivitet ndërkombëtar, në fushën e sigurisë, arsimit dhe kulturës. /Telegrafi/