Telegrafi

Thaçi: Unë, bashkuesi i popullit të Kosovës

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi në një Intervistë për televizionin publik Zviceran “SRF”, ka folur për gjendjen politike në Kosovë, për marrëdhëniet me Zvicrën, si dhe për prioritet e tij si president i ri i Kosovës.

Si të arritur kryesore, Thaçi prezanton bashkimin e popullit të Kosovës rreth qëllimeve dhe këtë e prezanton si fuqinë e tij kryesore. Ai ka thënë se gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar ka arritur të bashkojë popullin rreth një qëllimit të lirisë, e ma 2008 rreth shpalljes së pavarësisë.

“Jam shumë i bindur që do të bashkoj popullin edhe në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, është shprehur Thaçi.

Opozita, sidomos “Lëvizja Vetëvendosje!”, akuzon Thaçin që përmes presionit të Perëndimit dhe Brukselit ka tradhtuar Kosovën. Në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve fqinj, Prishtina dhe Beogradi, nën lehtësimin e BE-së, ndër tjera janë pajtuar që të krijohet një Asociacion të komunave me shumicë serbe në një Kosovë të dominuar nga shqiptarët. Me këtë rast, opozita frikësohet se përmes saj është duke u krijuar një shtet brenda shtetit. Por, Thaçi, dikur fytyra politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se dialogu nuk ka alternativë.

“Unë kam luftuar me të gjitha mjetet diplomatike dhe politike kundër prezencës serbe në Kosovë. Por, lufta ime nuk ishte e drejtuar kundër serbëve në Kosovë. Procesi i normalizimit është çelësi i suksesit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Ne nuk dëshirojmë të mbesim peng të së kaluarës. Përkundrazi. Ata që kritikojnë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i pyes: Cila është alternativa nëse jo dialogu? Çfarë, nëse nuk ka normalizim? Një konflikt i ri?”, ka thënë Thaçi.