Telegrafi

Thaçi ua prezantoi mundësit për investime afaristëve zviceranë dhe gjermanë

Kryeministri Thaçi ka njoftuar afaristët që pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës prioritet numër një ka konsolidimin dhe forcimin e shtetit, e në këtë kuadër zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare në vend, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, në funksion të përmbushjes së kritereve dhe standardeve ndërkombëtare.

Thaçi u tha afaristëve se Qeveria ka investuar shumë në infrastrukturën rrugore, përkatësisht autostradën Vërmicë-Merdarë, autostradë kjo që është duke e ndërtuar konsorciumi Bechtel&Enka. Po ashtu ai ka përmendur fillimin e përgatitjeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, procesin e privatizimit të PTK-së, një mundësi kjo e mirë për investitorët seriozë për të zhvilluar sektorin e telekomunikimit në Kosovë, pastaj procesin e suksesshëm të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sektorin e energjisë dhe shumë projekte tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka njoftuar investitorët zviceranë dhe gjermanë, për Planin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, që është hartuar nga Qeveria e Kosovës, një plan ky i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, që përcakton prioritetet kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, afatet kohore për implementimin e këtyre prioriteteve dhe rrjedhimisht një plan që hap mundësi të shumta për investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.

Kryeministri Thaçi po ashtu theksoi se forcimi i sektorit privat, infrastruktura ligjore në funksion të lehtësirave të të bërit biznes, rritja e vendeve të reja të punës do të vazhdojë të jetë në agjendën prioritare të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Nga ana e tyre, afaristët zviceranë dhe gjermanë, falënderuan kryeministrin Thaçi për mikpritjen dhe theksuan interesimet e tyre konkrete për të investuar në Republikën e Kosovës, në sektorë të ndryshëm ekonomikë. /Telegrafi/