Ushtruesi i detyrës së Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi ka nisur t’i marrë vendimet e para si udhëheqës i korporatës. Fillimisht, ai është orientuar kah kursimet. AktivPress mëson se prej sot, drejtorëve ekzekutiv të divizioneve të shumta në KEK, u është marrë e drejta e përdorimit të veturave zyrtare pas përfundimit të orarit të punës.
Thaçi, me këtë rast i ka udhëzuar personat kompetentë që ta përcjellin zbatimin e urdhëresës së tij në përpikëri.
Siç merret vesh, Thaçi ka vendosur që ta njoftoj edhe policinë rrugore që në rast se i zënë veturat zyrtare në qarkullim pa autorizim të veprojnë në harmoni me vendimin që e ka lëshuar ai.
Personat që i shfrytëzojnë veturat zyrtare, nga tash e tutje obligohen që t’i dorëzojnë veturat në parkingjet përkatëse, për sa kohë që personeli i transportit dhe i sigurisë është përgjegjës për kontrollimin e veturave.
Ky vendim është mirëpritur nga kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Rafet Osmani. Ai ka thënë se vendimet si ky i kontribuojnë stabilitetit financiar në KEK.
“Për të pasur paga më dinjitoze dhe stabilitet të qëndrueshëm në KEK, padyshim se duhet të eliminohen shpenzimet e panevojshme që shkaktohet me vetura zyrtare, apo në raste të caktuara edhe me udhëtime të panevojshme jashtë vendit”, ka deklaruar Osmani.
Kryesindikalisti i KEK-ut ka deklaruar se vendimi i Thaçit, është në frymën e asaj që është kërkuar shpesh nga vet sindikalistët. /AktivPress/Telegrafi/