Site icon Telegrafi

Thaçi tregon se kur mund të hyjë Kosova në NATO

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova dëshiron të shohë Britaninë e Madhe brenda Bashkimit Evropian, pasi që kjo e fundit nuk mund të jetë më e njëjtë pa shtetin britanik.

Ai në një intervistë për Independent-in britanik, tha se nuk mund të vazhdohet të pretendohet se asgjë nuk ka ndryshuar pasi “kjo është një gjë shumë e madhe”.

“Pa Britaninë, Bashkimi Evropian do të humbë shumë substancë. Nuk është një situatë e mirë për BE-në ose për ne në Kosovë”, u shpreh ai.

Thaçi në këtë intervistë ka folur për këto kohëra të vështira nga këndvështrimi i tij si pjesë e kontinentit. Ai siguron se nuk ka kthim në luftërat ballkanike – një konflikt i vdekjes, dhunimeve masive dhe spastrimit etnik.

Dhuna ka shokuar Evropën në të kaluarën, përkujton gazeta britanike, duke shtuar se tani ish-kundërshtarët, Serbia dhe Kosova, po nxiten nga perëndimi për të nxjerrë një vijë nën një grindje të zjarrtë që ka kërcënuar për t’u rigjallëruar.

Udhëheqësit e të dy shteteve – Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – të dy shikuar në të kaluarën si nacionalistë të ashpër dhe të palodhur, kanë mbajtur bisedime, së fundmi në Konferencën vjetore të Sigurisë së Munihut, ndërsa një raund tjetër negociatash pritet të mbahet në të ardhmen e afërt, shkruan gazeta.

Ekziston një marrëveshje e përgjithshme nga të dyja palët që anëtarësimi në Bashkimin Evropian është thelbësor për arritjen e paqes afatgjatë dhe, në rastin e Kosovës, edhe bashkimin me NATO-n.

“Rrethanat me të cilat ballafaqohemi në Kosovë, e vetmja e ardhme, e vetmja rrugë përpara, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, nuk ka dyshim për këtë”, tha Thaçi gjatë një vizite në Londër.

“Si Kosovë ne do të bëjmë të gjitha detyrat tona, meritojmë të jemi anëtar të NATO-s dhe BE-së. Ne duam që përfundimisht të shohim kufijtë e hapur brenda BE, me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kudo në rajon. Sa i përket NATO-s, mendoj se po flasim për një kornizë kohore prej pesë deri në 10 vjet, ose ndoshta edhe më pak, për t’u bashkuar”, tha ai.

Kreu i vendit tonë theksoi se Britania do të mbetet gjithmonë partner i Kosovës, edhe nëse do të jetë anëtare apo jo e BE-së, pasi ishte një kontribuuese kryesore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë./kp/

Exit mobile version