Site icon Telegrafi

Thaçi fton presidentin Donald Trump, të vizitojë Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dhënë detaje të tjera rreth takimit të tij që pati së fundi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë ai thotë se e konfirmoi edhe për të ardhmen Presidenti Trump.

“Kosova është e bekuar që ka një mbështetje të plotë të SHBA-ve. Një mbështetje të tillë e konfirmoi edhe vet Presidenti Donald Trump në takimin e mbrëmshëm. Është një konfirmim i fuqishëm që raportet tona të përjetshme Kosovë-SHBA do të vazhdojnë të jenë të tilla”.

“Jemi shumë mirënjohës SHBA-ve për kontinuitetin në mbështetje pavarësisht ndryshimit të administratave. E di se Presidenti Trump edhe vet është i zotuar që të fokusohet në çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor edhe me zhvillimet në Kosovë dhe ecjen përpara”.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se në këtë takim e ka ftuar për një vizitë në Kosovë, presidentin Trump, gjë e cila beson se do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“Konfirmova edhe njëherë se Kosova do të vazhdojë t’i ruaj si sytë e ballit raportet me SHBA-të. Dhe asnjë ego apo apetit i politikës ditore nuk do t’i lëndojë këto raporte. Ftova Presidentin Donald Trump ta vizitojë shtetin e Kosovës, shpresoj që në të ardhmen e afërt kur ai të gjendet në rajonin tonë, ta vizitojë Kosovën, vendin më pro amerikan në botë”.

“Presidenti Trump ndihet shumë i nderuar dhe krenar me atë që populli i Kosovës nderon dhe respekton e iu beson fuqishëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Thaçi mes tjerash pohoi se pret mbështetjen e autoriteteve amerikane për një shtytje më të gjerë për Kosovën Euroatlantike, duke kujtuar që mos të humbet kohë shumë në formimin e Qeverisë së re, njofton Klan Kosova.

”Pres që autoritetet amerikane të jenë të fokusuar në shtytje të procesit drejt NATO-s e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara, por edhe ne e kemi obligim që të formohet sa më shpejt Qeveria e re dhe të marrin përgjegjësitë që ua dhënë qytetarët e Kosovës”.

Exit mobile version