Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ripërsëriti sot në Shkup se çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel me palën serbe do të jetë në interes të tërë rajonit.
Thaçi pas vizitës së djeshme në Podgoricë, ku ka takuar presidentin malazez Millo Gjukanoviq, sot në Shkup ka takuar kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike në rajon, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Presidenti Thaçi, përmes një postimi në Facebook u bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të votojnë pro referendumit për emrin, duke thënë se e ardhmja e rajonit tonë është në NATO dhe Bashkim Evropian.
Postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
“I tërë Ballkani Perëndimor i ka shtuar përpjekjet për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektives euroatlantike. Edhe sot në takime me liderët institucionalë e politikë në Maqedoni biseduam për të ardhmen e përbashkët evropiane. Kosova dhe Maqedonia po bëjnë hapa të rëndësishëm të bashkëpunimit në interes të vendeve dhe popujve tanë. Autostrada Prishtinë – Shkup është duke shkuar drejt përfundimit në pjesën e Kosovës, kurse së shpejti pritet të nisin punimet edhe prej kufirit në drejtim të Shkupit. Si liderë institucionalë dhe politikë, e kemi për obligim që të punojmë më shumë për vendin, se për momentumet populiste apo elektorale, prandaj lidershipin në Maqedoni e inkurajova për vendimin e drejtë për marrëveshjen me Greqinë. Prej tyre mora përkrahje edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe i sigurova se çdo marrëveshje që arrijmë në Bruksel do të jetë në interes të vendeve tona dhe tërë rajonit. Në emër të Republikës së Kosovës, si një vend fqinjë me Maqedoninë, i ftova të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të votojnë pro referendumit dhe të kontribuojnë për të ardhmen evropiane. E ardhmja e Kosovës, e Maqedonisë dhe tërë rajonit tonë është në NATO dhe Bashkim Evropian. HTH”, tha