Gëzimi ishte i madh, andaj në një lagje të Lipjanit ku pritej të kthehej Nehat Thaçi i cili u lirua nga paraburgimi prej më shumë se një muaji në Serbi, po buçiste muzika.
Dhe kur arriti tek shtëpia, për eprorin policor të gjithë u rreshtuan për ta nderuar.
Por të parët që i dolën përpara qenë familjarët e tij.
Të gjithëve këtu Thaçi u tregoi se ku ishte duke shkuar deri sa u arrestua nga policia serbe. Thaçi nuk la pa falënderuar edhe institucionet e Kosovës, për kujdesin ndaj tij.
Pas arrestimit të Thaçit ishte bërë debat i gjatë edhe në Kuvendin e Kosovës, ku deputet e patën miratuar rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar LDK-PDK dhe Grupi 6+, e cila kërkonte lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit. Por lirimi i eprorit policor erdhi, pasi familja serbe nga Lipjani mohoi të ishte ai personi që i dëboi më 1999.