Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar detaje të bisedave që ka zhvilluar me ambasadorët e shteteve perëndimore në vend, pas tentimit të deputetëve të caktuar të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Thaçi ka bërë të ditur se ambasadorët i kanë kërkuar shpjegime për planin e deputetëve për ta zhbërë Tribunalin Special.
“Kanë kërkuar shpjegime, që me mundësitë dhe informatat që i posedoja, jam munduar t’i shpjegoj”, ka thënë Thaçi gjatë një interviste në Klan Kosova.
“Kam theksuar se për iniciativat kushtetuese dhe ligjore presidenti nuk mund të dalë kundër”, ka treguar i pari i Kosovës.
“Kam deklaruar shumë qartë se unë nuk mund të frenoj vullnetin e deputetëve. Nëse ata mendojnë se është i drejtë, është vendimi i tyre, jo i imi”, është shprehur Thaçi.
“Pushtetet janë të ndara. Mos të kërkojnë prej meje të interferoj, as në sistem të drejtësisë, as në parlament, as në ekzekutiv”, ka thënë presidenti i vendit.
Thaçi ka thënë se ua ka konfirmuar ambasadorëve se çdo opinion dhe vendim i tij do të jetë kushtetues dhe ligjor – “dhe jo i ndikuar nga primesat politike të kujtdo qoftë”.