Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku zhvilloi një varg takimesh në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së OKB-së, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, ku u shpreh se gjatë këtyre takimeve ka marrë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Ajo që është më shumë rëndësi është se Kosova po zhvillon aktivitet të ngjeshur për anëtarësim në Interpol. Asambleja e cila do të mbahet në javën e tretë të nëntorit në Dubai, ka rëndësi të madhe për shtetësinë e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të duhej të na bashkonte të gjithëve në këtë drejtim”, ka thënë Thaçi, shkruan Telegrafi.
Ai ka shtuar se kjo është interes shtetëror i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj, ku i shërben sigurisë së Kosovës dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës
“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të rritë efikasitetin e vendit dhe institucioneve tona kundër luftimit të ekstremizmit. Ftoj të gjitha shtetet anëtare të
Interpolit që ta mbështesin dhe mirëpresin anëtarësimin e Kosovës në Interpol”, u shpreh Thaçi.
Presidenti ka falënderuar të gjitha shtetet të cilat i kanë ofruar mbështetje të plotë rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol, ku theksoi se shpreson që në ditët, javët e muajt e ardhshëm kjo mbështetje të jetë edhe më e gjerë. /Telegrafi/