Në fjalimin e tij të parë si president i vendit, Hashim Thaçi para deputetëve të Kosovës tha se do t’i shërbejë vendit për të mirën e të gjithë qytetarëve si dhe të jetë faktor unifikues.
Ai para deputetëve të Kosovës dhe në praninë e ambasadorëve të akredituar në Kosovë tha se do të jetë garantues i mbrojtjes së Kushtetutës dhe interesave të Kosovës.
“Qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në BE dhe NATO si dhe miqësia e përhershme me SHBA-të”, tha presidenti, duke shtuar se për këtë do të punojnë institucionet e shtetit.
Ai tha se Kosova do të jetë pjesë aktive e bllokut kundër terrorizimit, ndërsa tha se institucionet shtetërore do të jenë të pakompromis ndaj ekstremizmit.
Presidenti Thaçi tha se Kosova është krenare me të kaluarën, ndërsa përmendi edhe përpjekjet e ish-presidentit Rugova dhe sakrificën e familjes Jashari.
Thaçi po ashtu ka përmendur gjatë fjalimit integrimin evropian të Kosovës, liberalizimin e vizave, formimin e FAK-ut si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Të jesh president i vendit është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe zotohem se do ta kryej në komunikim të ngushtë me juve”, u shpreh presidenti para deputetëve, duke shtuar se do të angazhohet për dialog ndërpartiak në vend.
Thaçi po ashtu, foli edhe për bisedimet me Serbinë, duke thënë se dialogu është i domosdoshëm, por tha se nevojitet një qasje e re.
Ndryshe, në seancën e jashtëzakonshme të datës 26 shkurt 2016, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Hashim Thaçin president të Republikës së Kosovës, kryetar aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme.
Seanca e cila nisi rreth orës 11:00, u shoqërua me incidente në Kuvend dhe me trazira të protestuesve të opozitës.
Në rundin e parë dhe të dytë Thaçi nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme për t’u bërë president, ndërkaq tek në rundin e tretë, kur kërkohej shumica e thjeshtë Thaçi siguroi votat.
Në raundin e tretë, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, pati 71 vota, të mjaftueshme për t’u emëruar këtë herë president i Kosovës. Gjithsej 81 deputetë votuan. /Telegrafi/