Site icon Telegrafi

Thaçi: Do të ishte e pafalshme që brezave të rinj t’ua lëmë peng të ardhmen

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vlerësuar se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të niste një proces thelbësor të transformimit të lidershipit dhe modelit qeverisës në vendin tonë.

Përmes një shkrimi në llogarinë  e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se do të ishte e pafalshme që brezave të rinj t’u lihet peng e ardhmja.

“Unë jam shumë krenar për të arriturat tona si gjeneratë. Por, do të ishte e pafalshme, që brezave të rinj t’ua lëmë peng të ardhmen për shkak të akteve populiste dhe mungesës së guximit për të përmbyllur konfliktin shekullor me Serbinë”, ka thënë Presidenti.

Sipas tij,  pas marrëveshjes me Serbinë, do të fillojë një epokë e re, ku askush më nuk do të mund të pretendonte të fitonte vota në emër të betejës së papërfunduar politike me Serbinë.

“Për më tepër, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të niste edhe një proces thelbësor të transformimit të lidershipit dhe modelit qeverisës në vendin tonë. Besoj shumë që pas marrëveshjes do të fillojë një epokë e re, ku askush më nuk do të mund të pretendonte të fitonte vota në emër të betejës së papërfunduar politike me Serbinë”.

“Kosova ka nevojë për këtë transformim. Për institucione më efektive, qeverisje që në qendër të vëmendjes ka reformat, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. Këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë”, ka shkruar Thaçi./Telegrafi

Exit mobile version