Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se mbrëmë në Bruksel, në takimin në mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, kanë kërkuar nga shteti serb që t’i ndalë provokimet.
Ai në një konferencë për media ka theksuar se mbrëmë ka pasur mirëkuptim ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, dhe se sipas tij, janë dakorduar se dialogu nuk ka alternativë tjetër.
“Na mbetet që të punojmë për normalizimin e plotë të raporteve ndërshtetërore. Dakordim tjetër ka qenë gatishmëria për intensifikim të takimeve në nivelit të lartë politik”, ka shtuar Thaçi.
Ai ka thënë se dialogu – për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit – ka arritur në fazën finale, kur duhet sipas tij, të dihet se cili është përfundimi dhe rezultati final i këtij procesi.
“Në këtë fazë përfundimtare, unë shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini, mund të negociojmë dhe të arrijmë marrëveshje politike përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin në mes popujve”, ka shtuar Thaçi.
Sipas tij, vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen në Ballkanin perëndimor dhe për integrime evropiane.
“Prandaj Kosova mbetet e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm, dhe mbetet faktor determinues i paqes dhe sigurisë në Ballkanin perëndimor. Dëshiroj të falënderoj Mogherinin për rolin e saj aktiv vendimtar, për uljen e tensioneve në mes dy vendeve tona, dhe për hapjen e një perspektive për dialogun e mirëfilltë që do të dërgonte drejt fqinjësisë së mirë”, ka theksuar Thaçi.
Ai më tutje ka thënë se Kosova thërret për paqe, stabilitet, mirëkuptim, vlera atlantike, duke shtuar se shpreson që do te ketë vullnet të njëjtë edhe nga pala serbe. /Telegrafi/