Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.
Presidenti Thaçi shkruan se përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“Në jetën time, në kohë dhe rrethana të ndryshme, kam takuar shumë liderë botërorë. Por, padyshim, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, për mua mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer.
Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm.
Përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së.
Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre.
Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës”. /Telegrafi.