Site icon Telegrafi

Thaçi takon krerët e institucioneve të drejtësisë, flasin për parandalimin e përhapjes së pandemisë në burgje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.

Në këtë takim ishin drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me coronavirus në institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.

Lexo po ashtu KMDLNJ kërkon sërish të lirohen të dënuarit që i plotësojnë kushtet

“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në takim u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse dhe u theksua që në kërkim të një zgjidhjeje sa më shpejt të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version