Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot në Bruksel ka takuar komisionerin Hahn, me të cilin ka biseduar për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.
“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Sapo përfundova takimin me Komisionerin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv. Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithmbarshme. Komisioneri Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së. Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon”, ka shkruar presidenti Thaçi. /Telegrafi/