Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka takuar sot ambasadorin amerikan, Greg Delawie si dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Kyle Scott, me të cilët ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje finale.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e përhershme amerikane, por edhe për pozicionin e qartë pro arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
” Me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, si dhe ambasadorin Kyle Scott, i cili është shef i misionit diplomatik amerikan në Beograd, sot biseduam për tema të ndryshme të interesit të përbashkët. Ambasadorëve amerikanë u rikonfirmova gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne biseduam edhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje finale, e cila duhet të përmbyllet me njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e përhershme amerikane, por edhe për pozicionin e qartë pro arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkrahja amerikane ka qenë përcaktuese në jetësimin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Askush nuk duhet ta vë në pikëpyetje rolin dhe miqësinë e përjetshme me SHBA-në”. /Telegrafi/