Site icon Telegrafi

Thaçi takohet me Trumpin, thotë se u pajtuan rreth marrëveshjes me Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka publikuar fotografi të takimit me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë kohës së drekës në Pallatin Presidencial Elysee.

Ai ka thënë se me presidentin amerikan është pajtuar për nevojën e zgjerimit të paqes dhe pajtimit në Evropë, që nënkupton arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Në këtë ditë të # Armistice100, duke përkujtuar fundin #WorldWarI, ne u pajtuam me presidentin Donald Trump për nevojën për të zgjeruar paqen dhe pajtimin në #WesternBalkans duke arritur marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në mes të #Kosovës dhe Serbisë, duke bërë të mundur që Republika jonë të bashkohet me @NATO, OKB, BE”, ka shkruar Thaçi.

Presidenti kosovar ka thënë më herët se ishte takuar edhe mbrëmë me presidentin Trump.

Thaçi e ka cilësuar këtë takim si të mrekullueshëm, duke potencuar se Trump i ka dhënë mbështetje për marrëveshjen me Serbinë.

“Kam pasur një takim të mrekullueshëm mbrëmë me President Donald Trump. Ai shprehu “100% përkrahje për marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe Shteteve të Bashkuar”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi edhe më herët kishte deklaruar se ka përkrahjen e Amerikës për një marrëveshje finale me Serbinë, mirëpo deri vonë nuk kishte deklarime publike të shtetit amerikan. Por, së fundmi, zyrtari i lartë i shtetit, Matthew Palmer, deklaroi përkrahjen e Amerikës për një marrëveshje finale.

Sidoqoftë, Thaçi po qëndron në Paris ku po mbahet ceremonia e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku po marrin pjesë, përveç presidentit Trump, edhe ai rus Putin, kancelarja Merkel dhe shumë krerë shtetesh të rëndësishme.

Gjatë kësaj ceremonie dhe Samitit të Parisit që është duke u mbajtur dhe darkës së shtruar nga presidenti francez Macron, janë paralajmëruar takime mes shumë delegacionesh.

Madje, nga shumë në Kosovë është cilësuar si takimi ku mund të vendoset konsensusi mes liderëve botërorë për gjetjen e formulës rreth arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, përcjell Telegrafi.

Exit mobile version