Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për takimet e tij që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Thaçi ka raportuar edhe për takimin ndoshta më të rëndësishëm të kësaj vizite, atë me Robert O’Brien, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, edhe në këtë takim theksi ishte tek gjasat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore dhe roli qenësor i Uashingtonit në këtë proces.
“Me ftesë të Ambasadorit Riçard Grenell, i Ngarkuari Special i Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe të Serbisë, dhe në prezencë të Robert O’Brien, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jam takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka shtuar ai.
Thaçi shtoi se ky takim ishte i veçantë për disa arsye.
“E para, shënon rikthimin e fuqishëm të SHBA në procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Të gjithë kanë kërkuar që SHBA të merr pjesë në këtë proces. E dyta, takimi shënon gatishmëri për të vazhduar dialogun pas një stagnimi për një vit e më tepër dhe e treta, e lehtëson apo e bënë më të afërt arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se tashmë ka mbetur që të bëhet edhe hapi i fundit për përmbylljen e plotë ndërkombëtare të shtetësisë sonë, e ai është anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/