Site icon Telegrafi

Thaçi: Do ta mbështesim BDI-në, duam që sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së

BDI si parti në pushte dhe PDSH si parti në opozitë duhet t’i harmonizojnë marrëdhëniet dhe të bashkëpunojnë për zbatimin sa më të shpejtë të marrëveshjes së Përzhinos, e cila është një nga kushtet për Maqedoninë që të bashkohet në NATO dhe BE, u dakorduan mbrëmë në Tetovë pas takimit dyorëshe të Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçit nga PDSH, përcjell Telegrafi Maqedoni.

”Marrëveshja e Përzhinos dhe zbatimi i saj është një faktor shumë i rëndësishëm në vend dhe sigurisht që në Kuvend do të jetë shumë e rëndësishme që opozita të jetë konstruktive në zbatimin e saj dhe duhet për disa gjëra edhe të votohet në Kuvend, për reformat në gjyqësor, për BE dhe NATO. Pra, marrëveshja e Përzhinos pa marrëveshje me opozitën nuk mund të realizohet dhe një bashkëpunim të këtillë duhet të ketë edhe n% bllokun politik maqedonas’, tha Ahmeti pas takimit.

“Asgjë sonte nuk ndodhi nën tavolinë, mbështetjen që ia japim BDI-së është një mbështetje e plotë pasi që duam që sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, kurse kjo pa realizimin e marrëveshjes së Përzhinos nuk është e mundur. Nuk do të thotë se nëse i kemi humbur zgjedhjet, nuk duhet që të jemi konstruktiv!”, ka thënë Menduh Thaçi, lideri i PDSH-së.

Në pyetjen e gazetarëve rreth anëtarësimit në NATO, Ahmeti u përgjigj se shpreson se do të ketë zhvillime pozitive edhe pse në këtë aleancë Maqedonia është dashur shumë më herët të jetë pjesë e saj.

“Ne si shqiptarë jemi të gjithë për Maqedoninë në NATO dhe jemi për arritjen e kompromisit, i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët. Duhet që një orë më parë të bëhemi pjesë e NATO-s se Maqedonia është në një udhëkryq ku zhvillohen beteja me Rusinë, ne nuk kemi asgjë me Rusinë, por shteti ynë i takon familjes euroatlantike.”, tha Ali Ahmeti, njofton AIM.

Udhëheqësit e PDSH-së dhe BDI-së shpresojnë që të fillojë zbatimi i reformave, të cilat kërkohen nga raporti i Pribesë, por edhe nga i gjithë faktori ndërkombëtarë. Që të dy theksuan se takime të këtilla kanë qenë tradicionale dhe se dod të realizohen edhe në të ardhmen. Thaçi tha se do të donte që takime të këtilla të realizojë edhe me liderin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, por një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur pasi sipas Thaçit gjithçka duhet të jetë transparente, e ata nuk kanë pranuar. /Telegrafi/

Exit mobile version