Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ngushëlluar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, për sulmin e mbrëmshëm terrorist në Stamboll.
Përmes një telegram ngushëllimi drejtuar presidentit turk Erdoğan, presidenti Thaçi ka thënë se ky sulm terrorist ka goditur gjithë qytetarët e botës së lirë dhe populli i Kosovës solidarizohet me dhimbjen e familjeve të viktimave dhe me popullin turk.
Telegrami i presidentit Thaçi drejtuar presidentit Erdoğan:
I nderuar president Erdoğan,
Akti terrorist në Stamboll është edhe një motiv më shumë në vendosmërinë tonë për ta luftuar pa kompromis këtë kërcënim për të gjithë ne.
Sulmi mizor në natën e ndërrimit të motmoteve në Stamboll është sulm kundër tërë botës.
Ky sulm terrorist ka goditur gjithë qytetarët e botës së lirë.
Terroristët nuk duan as paqe, as rend, as qetësi, por duan ta shkatërrojnë botën tonë, jetët tona dhe mënyrën tonë të të jetuarit.
Populli i Kosovës solidarizohet me dhimbjen e familjeve të viktimave dhe me gjithë qytetarët e vendit tuaj.