Site icon Telegrafi

Thaçi sikur një vit më parë: Jam i vendosur që Kosovën ta bëjmë me Ushtri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij para pjesëtarve të FSK-së dhe Policisë ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë ndër vlerat më të rëndësishme të vendit.

“Jemi bashkuar sot për të shënuar 10 vjetorin e krijimit të shtetit të Kosovës. Breza të tërë që flijuan gjithçka që të bëjmë shpalljen e shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Rrugëtimi ynë drejt lirisë e pavarësisë ka qenë i vështirë por i mundimshëm”, ka thënë Thaçi, raporton Telegrafi.

Ai ka theksuar se Kosova do të bëhet me Ushtri, sa më shpejt të jetë e mundur.

“Herën e fundit kur kishim një paraklim të FSK-së ishte para 4 vitesh ku FSK kishte kryer të gjitha detyrat për transformim në Forca të Armatosura. Jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtri dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Thaçi.

Thaçi shtoi se FSK dhe Policia të cilat janë më të mirat në rajon, janë edhe fuqia e shtetit dhe garanca më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë, prandaj momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur.

Sipas tij, partnerët tanë strategjikë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Ndërkaq, pikërisht një vit më parë në këtë ceremoni Thaçi kishte paralajmëruar për inciativën që do të ndërmerrte për transformimin e FSK-së në ushtri, por një gjë nuk kishte ndodhur. /Telegrafi/

 

Exit mobile version