Telegrafi

Thaçi: SHBA ndan edhe një grant madhor për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se Bordi i MCC-së (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit) i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka rikthyer Kosovën në programin “Kompakt”, pas një performance të mirë dyvjeçare.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria Amerikane, nëpërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka vendosur të ndajë edhe një grant madhor për Kosovën, për investime në fushat kryesore ekonomike.

Postimi i Thaçit:

“Sonte erdhi edhe një lajm i mrekullueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria Amerikane, nëpërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka vendosur të ndajë edhe një grant madhor për Kosovën, për investime në fushat kryesore ekonomike, siç është edhe energjia. Bordi i MCC-së i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka rikthyer Kosovën në programin “Kompakt”, pas një performance të mirë dyvjeçare. Tani MCC-ja i ka mundësuar Kosovës që të tërheqë mjete nga dy programe: Threshold dhe Kompakt. Falënderime të mëdha për drejtorin Nash, sekretarin Pompeo dhe ekipin e MCC-së në Kosovë që udhëhiqet nga Petrit Selimi dhe Sarah Olmstad”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/