Telegrafi

Thaçi sërish në Bruksel, për zbatimin e marrëveshjes

Thaçi i quajti inkurajuese deklaratat e liderëve të Serbisë për thirrje për implementim të këtij plani. Ai tha se ky plan nuk është kundër askujt, por është në shërbim të institucioneve të vendit dhe për paqen në vend.

Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të mërkurën, ka thënë se kjo është marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve dhe është formale mes dy vendeve.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se tani të gjitha institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për implementim me garanci dhe mbështetjen e plotë të BE-së SHBA-së, gjithashtu edhe me akterët implementues institucionet e vendit EULEX-in, NATO-n OSBE-në.

“Nesër delegacioni i Kosovës do të jetë në Bruksel për procesin e implementimit. Kosova e ka përgatitur planin e veprimit e ka gati. Nesër do t’i prezantojmë Ashtonit në Bruksel. Plani është konkret me akte ligjore afate kohore dhe akterë të implementimit. Presim që të kemi planin implementues të dakorduar deri më 26 prill siç është e përfshirë në marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që menjëherë të fillojë implementimi. E kemi theksuar edhe më herët e theksojmë edhe sot se sfidë do të jetë implementimi, fat i marrëveshjes varet nga implementimi”, ka theksuar kryeministri Thaçi. /Telegrafi/