Me rastin e 20-vjetorit të rënies, janë përkujtuar mbi 80 persona të ekzekutuar në masakrën e Lybeniqit, ku u tha se Serbia ende vazhdon të maltretojë popullatën në Kosovë, duke mos sjellë eshtrat e të zhdukurve gjatë kohës së luftës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se java e tretë e marsit 1998-1999 shënon heroizmat e popullit shqiptar, fillimet e bombardimeve të NATO-s dhe masakrat e kryera nga shteti serb anekënd Kosovës.
Ai tha se shteti i Serbisë ka kryer dhunë sistematike dhe gjenocid në Kosovë, por nuk mundi ta mposhte idealin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“Në Lybeniq u vranë të dashurit tuaj, familjarët tuaj, farefisi juaj. U vranë në lulen e rinisë fëmijët deri në 18 muaj, 7-vjeçar, u vranë gra shtatzëna, por një gjë u konstatua, se Serbia mund të vriste civilë, por nuk mund ta vriste kurrë idealin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Prandaj, e kuptoj dhe ndjej dhembjen tuaj që ndjeni çdo ditë. I kuptoj dhe ndjej lotët tuaj për të dashurit tuaj. Por, aq sa është tragjike masakra në Lybeniq, duhet të qëndrojmë me dinjitet dhe krenarë për të kaluarën tonë. Unë vetëm mund të përsëris atë që është shkruar në organizimin e kësaj akademia nga Zyra e kryeministrit z.Haradinaj, se ‘Liria do të fitojë gjithmonë derisa ne do të kujtojmë të rënët për liri’”, tha Presidenti, përcjell Telegrafi.
Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se Lybeniqi është prej plagëve të para të Serbisë.
Ai tha se lufta i goditi në masë të madhe familjet e Kosovës, teksa shtoi se institucionet e Kosovës janë në borxh ndaj familjeve të Lybeniqit dhe për këtë përsëriti se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, ndërkohë që adresoi kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se nuk do të ndalen deri a të rregullohet në mënyrë të dinjitetshme statusi ligjor i familjeve të martirëve dhe familjeve të të pagjeturve.
“E tha presidenti me të drejtë, jemi në periudhën kur çdo ditë kujtojmë martirët, çdo ditë kujtojmë qytetarë të pafajshëm, të rënë për liri, si në Krushë, si në Lybeniq, Mejë, Studime dhe ngado që të shkojmë. Është për çudi se edhe bashkësia ndërkombëtare i ka mbyllë sytë para gjithë atyre masakrave dhe krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Mënyra më e mirë për ne me e vendosë të drejtën tonë, është të mos harrojmë nga kemi ardhur në të njëjtën kohë të forcojmë vendin tonë, atdheun e të gjithëve që kanë rënë për lirinë e tij”, u shpreh Haradinaj.
Besnik Huskaj, i cili foli në emër të fshatit Lubeniq, tha se lufta e udhëhequr nga UÇK-ja ishte faktori kyç në zhvillimet për lirinë e vendit.
“Sot përkujtojmë 20-vjetorin e masakrës në Lybeniq, ku ushtria serbe së bashku me grupe paramilitare dhe me bashkëpunim të plotë më serbët lokal të fshatit, vranë dhe masakruan 70 persona, përkatësisht 79 banorë të fshatit Lybeniq. Masakra e 1 prillit nuk ishte e para e as e fundit në fshatin Lybeniq, edhe më 7 prill, në bjeshkën afër fshatit, policia dhe ushtria serbe vranë banorë të fshatit Lybeniq, Rashiq, Buqan, të cilët ishin strehuar në bjeshkë duke tentuar t’i shpëtojnë barbarisë serbe… Ditën e premte, në varrezat e fshatit në Lybeniq, rivarrosëm edhe 10 mbetje mortore të të vrarëve, ku shteti serb, tash e 20 vite na ka munduar shpirtin, duke na sjellë disa herë me radhë copa eshtrash, e përmes kësaj duke na sjellë dhembje në shpirtrat tonë e duke mos na lënë asnjëherë të qetë”, tha ai.
Në emër të familjeve dhe banorëve të fshatit Lybeniq, Lendita Morina, e cila tha se pa praninë e baballarëve të masakruar nga paramilitarët serbë e kishin të vështirë të përballonin jetën.
Ajo tha se janë nënat e tyre që të vetme ndihmuan fëmijët të ndërtojnë ëndrrat e tyre për të jetuar.
“Më 1 prill të vitit 1999, fshati jonë mbeti me 105 jetimë, të moshave të ndryshme, ku njëri ndër ta jam dhe unë. Është e vështirë të imagjinohen ëndrrat e një jetimi, është e vështirë se si një jetim do të menaxhojë jetën kur i mungon krahu më i fortë, që është babai. Sot pas 20 viteve të nderuar, sidomos të nderuar ju përfaqësues të institucioneve shtetërore, ju kërkojmë që të na shihni. Vetëm nga fshati Lybeniq janë 105 jetimë, po nga e gjithë Kosova sa jetimë janë. Jetimi më i vogël sot është 20 vjet. Tani jemi rritur, kërkojmë përkrahjen tuaj që të vazhdojmë jetën në këtë vend, sepse askush më shumë nuk e meriton, që jetën ta krijojë në vendin që baballarët derdhën gjakun që ne të jetojmë të lirë. T’i kujtojmë të rënët çdo ditë e jo vetëm në përvjetorë, sepse duke mos e harruar të kaluarën ndërtohet edhe e ardhmja”, tha Morina.
Ndryshe, më 1 prill 1999 në Lubeniq të Pejës, njësitë paramilitare serbe në drejtimin e grupit “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit. Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, ata i ndanë burrat nga gratë dhe me pas i ekzekutuan në mënyrat më çnjerëzore./Telegrafi/