Telegrafi

Thaçi: Senatorin McCain do ta kujtojmë si mbështetës të çlirimit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe te varri i senatorit John McCain në varrezat e “United States Naval Academy Cemetery” në Annapolis.

Thaçi ka shkruar në Facebook se në dy dekadat e fundit, sa herë që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar gjithmonë senatorin, John McCain.

“Edhe pse ai nuk është në mesin tonë, qytetarët e Kosovës, senatorin McCain do ta kujtojnë përgjithmonë si një nga mbështetësit e palëkundur të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në varrezat e “United States Naval Academy Cemetery” në Annapolis, bëra nderime te varri i tij, për të shprehur respektin e popullit të Kosovës për kontributin që ka dhënë për sigurimin e paqes në botë dhe përkushtimin ndaj vendit tonë. Lavdi të gjithë veteranëve amerikanë, që jetën e tyre e vunë në shërbim të atdheut dhe vlerave perëndimore”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.