Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se tashmë ka aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe se në mbrëmje do të arrijë në Kosovë.
Thaçi ka pohuar se nesër do t’iu drejtohet qytetarëve në ora 20:00, ku do të flasë për intervistimin e tij në Hagë, transmeton Telegrafi.
“Sapo kam zbritur në Tiranë, nga kthimi prej Hagës dhe në mbrëmje do të arrij në Kosovë. Nesër në orën 20:00 do të flas për katër ditët e kaluara në Hagë. Ju uroj një fundjavë të bukur. Ju siguroj se askush nuk mund ta rishkruajë historinë tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, dje presidenti Thaçi, pas përfundimit të intervistimit ka thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës.
“Gjatë këtyre katër ditëve, jam mundur të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga avokati, përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, kemi pasur seanca produktive, tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dëshmitë e mija. Në rast se ata e bëjnë këtë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë krim lufte”, kishte thënë Thaçi para mediave. /Telegrafi/