Telegrafi

Thaçi rifalënderon mbështetësit e Kosovës për anëtarësim në BB

“Është kjo mbështetje ekonomike, politike dhe diplomatike që do t’i duhet Kosovës edhe në të ardhmen”, tha Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë.

Kryeministri Thaçi duke folur për zhvillimet shumë pozitive për vendin gjatë kësaj jave anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare e vlerësoi para së gjithash edhe si rezultat i punës së mirë në Kosovë.

Shefi i ekzekutivit të vendit gjithashtu ka vlerësuar shumë lartë edhe raportin e “Transparency Internacional” për Kosovën.

“Kjo agjenci e ka radhitur Kosovën të fundit në rajon për shkallën e ultë të korrupsionit “, ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se ky është rezultat i punës së mirë të institucioneve, i qeverisjes së mirë , sundimit të ligjit dhe luftës së pa kompromis kundër dukurive negative.

“Kjo është një mirënjohje për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe obligim që të punojmë edhe më mirë në të ardhmen”, ka potencuar kryeministri Hashim Thaçi. /Telegrafi/