Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se masakra në Reçak ishte një krim i fabrikuar.
Thaçi përmes një postimi në Twitter ka thënë se paqja, pajtimi dhe drejtësia nuk mund të ndërtohen duke mohuar krimet, transmeton Telegrafi.
“Unë shoh shumë zyrtarë nga Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhen në Evropë, të konfirmuara nga Gjykata Ndërkombëtare si Reçaku. Politikat gjenocide serbe nuk mund të mbrohen. Ato duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohen bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar ai.
Ndryshe, presidenti serb Vuçiq deklaratat lidhur me masakrën e Reçakut i ka bërë pas dënimit që iu është shqiptuar ish-ministrit, Ivan Todosijeviq, i cili po ashtu kishte thënë se masakra në Reçak ishte e trilluar.
Todosijeviq është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut./Telegrafi/