Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka sulmuar ashpër homologun e tij maqedonas, Gorge Ivanov, për deklaratat e tij rreth platformës së shqiptarëve, të cilën e shfrytëzoi për ta çuar sërish Maqedoninë në zgjedhje.
Thaçi tha se zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese.
“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti. Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka shkruar presidenti Thaçi, duke e quajtur qasjen e homologut të tij maqedonas armiqësore dhe antishqiptare.
Nga faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, këtë vendim të Ivanovit shumica e kanë vlerësuar si një favor për ish-bashkëpartiakun e tij, Nikolla Gruevski. /Telegrafi/