Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se asnjë shpifje nuk mund të ngadhënjejë mbi Ramush Haradinajn.
Ai, në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës, ka theksuar se ndalimi i Haradinajt flet për ndërgjegjen e disa vendeve të cilat, sipas tij, sillen me standarde të dyfishta.
“Shteti është përpjekur t’i kryejë detyrat e veta, përballë këtyre aktakuzave. Në takimin e fundit me shefin e Interpolit, kam diskutuar për këtë çështje dhe për mundësinë e heqjes së këtyre aktakuzave nga ky organ. Institucionet e Kosovës kanë bërë maksimumin. Kemi reaguar në atë masë duke e bërë të qartë se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën dhe se Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë”, ka shtuar Thaçi.
Thaçi pohoi se është brenda përgjegjësisë së deputetëve të Kosovës ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, rrjedhimisht liberalizimin e vizave.
“Demarkacioni është i drejtë, i saktë, por është politizuar tej mase. Pa demarkacion nuk ndodh liberalizimi vizave”, ka pohuar Thaçi, njofton Klan Kosova. “Janë tri pengesa: pengesa e parë është mungesa e serbëve në Kuvend; e dyta, opozita nuk e voton; dhe, e treta, obligimi partnerëve të koalicionit t‘i gjejnë deputetët, t’i bindin deputetët dhe të votojnë. Tashmë janë shterur debatet, Qeveria duhet të procedojë dhe s’ka arsyetim që kjo çështje duhet të votohet”.
Thaçi ka ritheksuar se kriteri i Demarkacionit është shumë i padrejtë nga Bashkimi Evropian.
“Është i padrejtë, por rezistenca është naive. Por, e theksoj, është futur, papritur dhe padrejtësisht”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova rrezikon të mbetet edhe disa vite pa liberalizim të vizave. /Klan Kosova/Telegrafi/