Site icon Telegrafi

Thaçi i raporton Qeverisë: Do ta themelojmë Ekipin negociator të Kosovës, duhet konsensus për dialogun

Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, pasi nëse do të ketë marrëveshje Kuvendi është institucioni që duhet ta ratifikoj.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi këto komente i bëri gjatë raportimit në Qeveri lidhur me takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërsa tha se pret konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

“Gjatë javës së ardhshme pres që me bartësit e institucioneve dhe liderët opozitar të ulemi për të konkretizuar themelimin e Ekipit negociator të Kosovës për negociata dhe të Ekipit strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje që do të hapen në këto takime”, tha presidenti.

Thaçi kërkoi nga spektri politik i Kosovës që të bëhen pjesë e delegacionit të Kosovës.

“Ky do të ishte veprim i duhur dhe më racional, i guximshëm që e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza, e të pamatura tregojnë shenja lodhjeje e mungesë të përgjegjësisë e  guximit”, tha Thaçi.

Presidenti tha se dialogu me Serbinë si gjithmonë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“…Ky proces mbështetet nga aleati ynë SHBA-të, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve kanë përfaqësuesin e tyre në Bruksel. Kështu ka qenë edhe kësaj here. Unë kam zhvilluar dy takime të rregullta me përfaqësues të SHBA-së, para takimit në Bruksel”, ka thënë Thaçi.

Presidenti tha se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë transparent. “Informimi im duhet të kuptohet si përkushtim që të jetë transparent dhe llogaridhënës para qytetarëve të Kosovës. Kjo do ta shoqëroj këtë proces deri në fund pasi e kemi obligim nga qytetarët tanë”, tha tutje Thaçi.

Ai tha se në takimin me përfaqësuesen Mogherini e kanë bërë të qartë se Kosova është e interesuar për marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë.

“Marrëveshja duhet të jetë e balancuar dhe obliguese për palët e përfshira në bisedime dhe ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke.  E bëmë të qartë po ashtu se Kosova ka përmbushur 95 kritere për liberalizimin e vizave. Koha e fundit të që institucionet e Bashkimit Evropian të marrin vendimin për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Presidenti i vendit tha po ashtu se e kanë bërë të qartë se Kosova ka shterur kompromiset e veta që janë konkretizuar me planin e Ahtisaarit, rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Hapësira për kompromise shtesë nga ana e Kosovës është shumë minimale”, tha presidenti.

Kreu i shtetit tha se takimi i parë natyrshëm ka përfunduar pa asnjë marrëveshje dhe është naive të pritet të ketë marrëveshje të shpejtë.  Ai tha se janë pajtuar që të mos rriten tensionet ndërshtetërore, të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Thaçi po ashtu tha se nëse e refuzojnë dialogu, atëherë Kosova akuzohet për dështim të procesit.

“Duhet të punojmë me vendosmëri dhe të gjejmë guximin për marrëveshje me Serbinë”, shtoi presidenti.

Ai tha se pret konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

“Gjatë javës së ardhshme pres që me bartësit e institucioneve dhe liderët opozitar të ulemi për të konkretizuar themelimin e Ekipit negociator të Kosovës për negociata dhe të Ekipit strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje që do të hapen në këto takime”, tha presidenti.

Thaçi njoftoi se takimi i radhës me palën serbe në Bruksel pritet të ndodh në të ardhmen e afërt.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version