Site icon Telegrafi

Thaçi: Qytetarët s’duhet të mbesin të izoluar për ambicie personale e partiake të politikanëve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në relacion me BE-në në Kosovë.

Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova dhe BE-ja kanë instaluar një bashkëpunim institucional dhe e falënderoi për përkrahjen që BE-ja ka dhënë për institucionet e Kosovës.

“Kosova është e vendosur për të ardhmen e saj euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

“NATO dhe BE janë destinacionet e vetme të Kosovës”, shtoi ai.

Kurse, drejtoresha Eichhorst u shpreh e kënaqur për bashkëpunimin me Kosovën dhe për të arriturat në proceset e rëndësishme, si dialogu dhe MSA-ja.

Presidenti Thaçi po ashtu kërkoi nga BE-ja që të mos lejojë që Kosova të mbetet e izoluar, si dhe të marrë vendim që sa më parë të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.

“Është vërtetë për keqardhje që për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, për shkak të ambicieve personale e partiake, të pësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të mbeten evropianët e vetëm të izoluar, pa mundësi që të lëvizin të lirë në kontinentin e tyre”, përfundoi presidenti Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version