Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pas takimin me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini në Berlin ka thënë se në këtë takim janë biseduar çështje të ndryshme për Kosovën, duke nisur me liberalizimin e vizave, procesin e dialogut, si dhe njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur.
Thaçi ka theksuar se Kosova nuk kërkon liberalizimin e vizave si dhuratë, por se sipas tij e meriton.
“Biseduam për të gjitha angazhimet që i kemi ne si Kosovë përballë Bashkimit Evropian, por edhe kontratën që BE e ka me qytetarët e Kosovës. Ritheksova domosdoshmërinë që për Kosovën të ndodhë vendimi edhe i shteteve anëtare të BE-së, sa më shpejt për liberalizimine vizave. Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e domosdoshme, 95 prej tyre. Ndërsa vendet e rajonit 55 i kanë plotësuar, pra për ne ka qenë standard i dyfishtë por ne i kemi kryer detyrat tona. Liberalizimi i vizave nuk është që po e kërkojmë si dhuratë, apo shpërblim, është diçka që e meritojmë, është kontratë me qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në këtë proces.
“Nuk do të ketë negociata mes Kosovës dhe Serbisë, sikur që është larg arritja e një amrrëveshjeje pa SHBA-të. Para së gjithash, ju e dini që as dialog, as negociata, as marrëveshje, nuk ka pa rolin e SHBA-së dhe shteteve tjera mike. Bashkimi Evopian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkanin Perendimor”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, Thaçi ka folur edhe për taksën që Kosova i ka vendosur produkteve të Serbisë dhe BeH. Ai ka thënë se Kosova do të shtojë reciprocitetin ndaj Serbisë për shkak që sipas tij Serbia po vazhdon me veprime agresive në drejtim të Kosovës.
“Taksa është e drejtë e ligjshme, është legjitime. Nëse Serbia vazhdon me veprime agresive, ne vetëm sa do t’i shtojmë masat, dhe do të shkojmë në nivel reciprociteti. Kosova është gati për dialog të pakushtëzuar. Është koha që Serbia ta njoh Kosovën. Sot është dita që Kancelarja Merkel ta bind Vuçiqin ta njoh Kosovën, t’i bind edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur, ta njohin Kosovën”, theksoi ai duke treguar se çka pret nga Samiti i Berlinit.
“Presim nga takimi të lëvizet përpara, t’i jepet mbështetje liberalizimit të vizave për Kosovën, t’i jepet mbështetje dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si i pakushtëzuar, por presim nga kancelarja Merkel ta bind Vuçiqin që ta njoh Kosovën. Kosova do të mbetet vend i pavarur, sovran, gjithmonë duke respektuar të drejtat e Medvegjes, Preshevës dhe Bujanocit në territor të Kosovës. Ky është angazhim për korigjimin e padrejtësive historike”, ka deklaruar Thaçi. /Telegrafi/