Site icon Telegrafi

Thaçi, prokurorëve: Do të jeni patriotët e shtetit nëse ballafaqoheni me krimet e rënda

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ballafaqimi me krimin është sfidë e re, por beteja në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeve negative duhet të jenë permanente, e vendosur dhe me tolerancë zero.

Ai në Konferencën vjetore të prokurorëve, ka thënë se prokurorët kanë shënuar suksese shumë të rëndësishme por të gjithë presim edhe më tepër, pasi me suksesin e prokurorëve Kosova do të jetë një vend edhe më i fortë.

“Unë takoj familjarë të masakrave të Mejës që ende nuk e kanë marrë përgjigjen e drejtësisë, takoj familjarë të masakrës në Izbicë. Takoj qytetarë, familjarë, shoqata të familjarëve të masakrës së Studimes që ende nuk e kanë marrë përgjigjen nga sistemi i drejtësia për ato masakra të grave, fëmijëve që janë kryer. Gjithashtu takoj dëshmitarë të gjallë të masakrës së burgut të Dubravës, edhe atje nuk e kemi ende përgjigjen e sistemit të drejtësisë, as të ndërkombëtarëve, as të vendorëve. Kërkoj që të punohet më tepër, por në të njëjtën kohë takoj familjarët e ngjarjeve të dhimbshme të masakrës që ka ndodhur në Staragrackë në Lipjan, ku janë vrarë 40 qytetar, gjithashtu fëmijëve që janë vrarë në Gorazhdec, ku janë vrarë pas luftës, dhe ata nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç drejtësisë të cilën duhet ta ofroni ju prokurorë”, tha ai.

Ai i ka thënë prokurorëve që do të jenë patriotët e shtetit, vetëm nëse ballafaqoheni me krimet më të rënda dhe më të ndjeshme.

“E di se këto nuk janë populiste, por janë vendime dhe është kjo qasje më e drejtë e mundshme. Të jeni të bindur që do ta keni mbështetjen e plotë të shtetit dhe të autoriteteve ndërkombëtare. Drejtësia nuk duhet në asnjë moment të ndikohet nga emocionet e politikës ditore, apo nga përkatësia etnike”, tha presidenti. /Telegrafi/

Exit mobile version