Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, si dhe Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinajn.
Në njoftimin e dërguar për media nga presidenca, thuhet se në këtë takim të përbashkët është biseduar për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.
Presidenti Thaçi, sipas presidencës është pajtuar me kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministri Haradinaj që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës dhe që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës.
“Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, përfundon ky njoftim. /Telegrafi/