Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacionit për të Pagjeturit e Kosovës, Bajram Çerkinaj, bashkë me kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave joqeveritare.
Presidenti Thaçi tha se me punën e vet, ky asociacion është duke hedhur dritë mbi padrejtësitë që janë bërë dhe po e forcon edhe më shumë respektin për vlerat e lirisë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit për të Pagjeturit e Kosovës, Bajram Çerkinaj, shtroi shqetësimin e tij edhe për ekzaminimet në Morgun e Prishtinës dhe për mos gërmimin në lokalitete ku dyshohet se ka varreza masive.
“Nevojitet një trysni më e madhe e ndërkombëtarëve mbi autoritetet e Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Çerkinaj.
Gjithashtu, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit për të Pagjeturit e Kosovës, Bajram Çerkinaj, si dhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, kërkuan që çështja e të pagjeturve të ngritët edhe në të gjitha diskutimet në nivel ndërkombëtar.
Presidenti Thaçi theksoi se institucionet e Kosovës, Këshilli Koordinues i Asociacionit për të Pagjeturit e Kosovës dhe shoqatat e tjera që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve, me kapacitetet e tyre po bëjnë gjithçka që munden për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por për të zbardhur fatin e tyre duhet të punohet edhe më shumë në përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare. /Telegrafi/