Site icon Telegrafi

Thaçi priti myftiun Tërnava, flasin për bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Myftiun e Kosovës, Naim Tërnavën, me të cilin ka diskutuar për dialogun e brendshëm, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Thaçi vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në krijimin e bashkëjetesës ndërfetare në vend.

“Kosova është shembull në rajon për tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare. Duhet të promovojmë këtë vlerë dhe pasuri të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Me myftiun Tërnava, presidenti Thaçi ka folur edhe për mangësitë ligjore për bashkësitë fetare dhe për nevojën që ato të plotësohen në të ardhmen.

Ndërsa, myftiu Tërnava ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës ka bashkëjetuar me fatin e popullit dhe gjithnjë ka dhënë kontributin e vet në të gjitha proceset politike e historike në Kosovë.

Ai ka thënë se vlera më e madhe e kombit tonë është respekti i ndërsjellë mes besimeve dhe harmonia ndërfetare, e cila ekziston në mesin e të gjitha komuniteteve.

Presidenti Thaçi ka thënë se për dialogun ndërfetar të udhëhequr nga institucionet fetare dhe shoqëria civile, që mbështesin dhe nxisin komunikimin ndërmjet feve, do të diskutohet së shpejti edhe në konferencën ndërkombëtare ndërfetare “Interfaith”, e cila prej këtij viti organizohet nën patronazhin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version