Telegrafi

Thaçi priti ekipin e FSK-së që zuri vendin e dytë në “Cambrian Patrol 19”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramën dhe ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që mori pjesë në garat ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol 19“, ku fituan medaljen e argjendtë.

Në garën ushtarake “Cambrian Patrol 19”, që llogaritet prej garave ushtarake më prestigjioze në botë, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti që të rrëmbejë medaljen e argjendtë, duke u radhitur i dyti në këtë gatë.

FSK në këtë garë ka marrë pjesë për herë të tretë, e cila organizohet nga Brigada e Këmbësorisë 160-të e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Gara patrulluese filloi më datën 16 tetor 2019 dhe zgjati 48 orë, pa ndërprerë, ku morën pjesë gjithsej 132 ekipe, prej të cilave 34 ishin nga shtetet e ndryshme.

Përveç Republikës së Kosovës, në garën “Cambrian Patrol 19” në Mbretërinë e Bashkuar, morën pjesë edhe ekipet e forcave të armatosura të vendeve të rajonit, si nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Greqia.

Gara “Cambrian Patrol 19“ është një aktivitet shumë sfidues dhe prestigjioz ushtarak që teston të gjitha aftësitë themelore ushtarake të ushtarit të sotëm, duke rritur aftësinë e udhëheqjes dhe nivelin e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë./KP/