Site icon Telegrafi

Thaçi President?

Ai do që të bëhet President. Thaçi vërtet përfaqëson unitet popullor. Është figura që bashkon më së shumti njerëz. Por, njerëz që janë kundër tij. Që e duan jashtë politikës, e mundësisht edhe në burg. Është rasti i parë në historinë e pluralizmit kosovar, kundër të cilit u unifikuan të gjitha subjektet tjera politike që përfaqësonin rreth 70 për qind të elektoratit. Është ndër të vetmit njerëz me të cilët askush nuk do që të bashkëpunojë, madje as ata që janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë. Po të mos ishte për kërcënimet e Ambasadës amerikane me 70 dosjet e korrupsionit, as Isa Mustafa nuk do të bashkëpunonte me të.

Ai do që të bëhet President. Është person që ka takuar shumë diplomatë ndërkombëtarë. Kushedi, mbase më së shumti nga të gjithë ish-ministrat e Punëve të Jashtme. Por, nën udhëheqjen e tij, Kosova dështoi në UNESCO, nuk mori liberalizimin e vizave dhe u njoh sall nga dy shtete të cilat i njoftuam vetëm kur na njohën. Dorën në zemër, ai shtyu përpara integrimin për në BE. Por, integrimin e Serbisë. Me marrëveshjet e Brukselit, ai e bëri Serbinë lidere rajonale sa i përket integrimit evropian. Pra s’mund të themi që s’ka pasur asnjë sukses diplomatik!

Ai ëndërron aq dëshpërueshëm që të bëhet president sa që ka filluar të shohë edhe halucinacione. Zaten kur njeriu mbetet në shkretëtirë, i pashpresë e tmerrësisht i etur, fillon të shohë ujë edhe aty ku s’ka. Është si mirazh. Sheh atë për të cilën ke dëshirë të madhe, e jo atë që ekziston në të vërtetë. Njësoj si Thaçi që shihte flamuj të ISIS-it në protestën madhështore e cila kishte mbledhur njerëzit më kombëtarë dhe që karakterizohej vetëm nga simbolet kombëtare. Sepse, për Thaçin vetëm shfaqja e ISIS-it në Kosovë është shpëtim. Ai ëndërron që protestat e opozitës të marrin karakter ekstremist fetar, sepse kështu ndërkombëtarët do ta mbanin Thaçin më afër. Por, ja që ai po jeton momentet e fundit politike, kur etja e madhe, e ndeshur me dëshpërimin, po i shkakton fantazi, absurde edhe për vetë votuesit e tij.

Ai krahason popullin e vet me ISIS-in, i quan kriminale, të çmendura e çmenduruese veprimet e opozitës, ndërkohë që Vuçiqin e Daçiqin i quan miq e i trajton si superiorë. Bën marrëveshje me ta dhe nuk lodhet fare për faktin që Vuçiqi e Daçiqi janë pasardhësit politikë të Sheshelit e Millosheviqit dhe ishin vetë në pushtet në Serbi në vitet ’98 dhe ’99. E, kur Daçiqi e krahason Kosovën me ISIS-in, Thaçi nuk guxon të flasë. E, kur flet, e krahason popullin e vet po me ISIS-in, duke ia konfirmuar kështu Daçiqit akuzat.

Ai ëndërron që të bëhet i pari i shtetit. Tamam simbol i Kosovës. Sepse presidenti është simbol. E kush do ta simbolizonte më mirë se ai shtetin e dështuar ekonomikisht, shtetin e nënshtruar ndaj armikut kombëtar e të kapur nga miqtë personalë. Shtetin e vënë në funksion të të pasurve, shtetin që përmes varfërisë e mjerimit përzë mbi 100 mijë të rinj e të reja, shtetin që burgos opozitën dhe dhunon qytetarët protestues.

Ai vërtet do të ishte presidenti i duhur i një shteti të mjerë. Por, ja që populli i Kosovës ka tjetër vullnet. Do tjetër shtet. Pra, tjetër president.

Exit mobile version