Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka përkujtuar veprimtarin kombëtar, Ukshin Hotin, në 21 vjetorin e zhdukjes.
Thaçi ka thënë se “që 21 vjet ende nuk dihet për fatin e profesorit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar kombëtar Ukshin Hoti, i cili e kaloi një pjesë të jetës nëpër burgjet jugosllave dhe serbe”, transmeton Telegrafi.
“Profesori Hoti që në vitin 1981 përkrahu idenë dhe kërkesën për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën historike dhe në konceptin e zhvillimit të Kosovës si entitet politik, që nuk mund të mbetej nën administrimin e Beogradit”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Më tej, Thaçi ka shkruar se mos-zbardhja e fatit të Hotit është dëshmi e krimeve që Serbia ka ushtuar mbi shqiptarët e Kosovës.
“Moszbardhja e fatit jetësor të profesor Hotit është edhe dëshmi e natyrës kriminale të shtetit serb, që në mënyrë sistematike ushtroi dhunë, burgosje, vrasje, djegie, masakrime dhe gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, veçanërisht në vitet 1998 dhe 1999”, ka pohuar ai.
Presidenti thotë se “rasti i profesor Hotit dhe i të pagjeturve tjerë janë dëshmi se për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta, të ketë drejtësi për viktimat dhe dënime për përgjegjësit”./Telegrafi/