Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një diskutim në forumin FOL Hapur tha se themelimi i Ushtrisë së Kosovës është një domosdoshmëri dhe një proces i pandalshëm.
Ai gjatë këtij debati tha se iniciativën ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK-së e ka ndërmarrë duke qenë i bindur se të gjitha mundësitë tjera janë shterë që ushtria e Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti i vendit tha se emëruesi i përbashkët i gjithë këtij debati është se institucionet e Kosovës, partitë politike në pozitë e opozitë, shoqëria civile dhe qytetarët janë të gatshëm për themelimin e ushtrisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
Sipas tij, Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO pa themelimin e Ushtrisë.
Ai tha se institucionet e Kosovës janë plotësisht të vetëdijshëm për ruajtjen e partneritetit strategjik me NATO-n dhe Amerikën, por sipas tij, themelimi i Ushtrisë duhet të bëhet pa humbur kohë.
Thaçi u shpreh se e ka obligim si president i vendit, së bashku me institucionet tjera ta themelojnë Ushtrinë e Kosovës por të n njëjtën kohë ta ruajnë dhe thellojnë bashkëpunimin me partnerët strategjik të Kosovës.
“Të gjithë partnerët tanë pajtohen se Kosova duhet ta themelojë Ushtrinë, por dallimi i vetëm është në qasjen që duhet ndjekur”, tha Thaçi, duke shtuar se miqtë e Kosovës preferojnë përmes ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti i vendit tha se edhe institucionet e vendit preferojnë ndryshimin e mandatit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese nëse kjo mund të arrihet në praktikë, por nëse nuk mund të arrihet atëherë duhet të bëhet përmes Projektligjit.
Ai tha se pas debateve të fundit lidhur me transformimin e FSK-së, edhe partnerët ndërkombëtarë janë zotuar se do ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces.
“Askush nuk mund të vë veto për Ushtrinë e Kosovës, është proces i pandalshëm”, tha Thaçi.
Ai tha se në vitin 2014 ishte shtyrë procesi i themelimit të FAK-ut për shkak të interesave elektorale.
“Për shkak të interesave elektorale është shtyrë ky proces, ku më pas erdhën zgjedhjet e parakohshme të vitin 2014. Nga ajo kohë ky proces ka qenë në sirtar. Mund të them se iniciativa ime është kushtetuese, ligjore dhe e drejtë. Ky procesi është i pandalshëm. Nuk ka kritikë, as konfrontim me partnerët tonë ndërkombëtarë, jemi në një përkushtim të përbashkët që Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet. Jam në favor që të ndodhin ndryshimet kushtetuese, në të njëjtën kohë kam qenë i përgjegjshëm ta ndërmarrë iniciativën ligjore”, ka shtuar Thaçi./Telegrafi/