Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha të martën se nuk do të koordinohet me Serbinë kur është në pyetje Ushtria e Kosovës.
Thaçi këto komente i bëri në tryezën me temë “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”.
Presidenti duke folur për proceset në vend, tha se Serbia është duke e penguar Kosovën në çdo iniciativë.
“Kërcënim është politika nacionaliste e Serbisë”, tha Thaçi.
Ai tha se Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin më ndërkombëtarët. “Ky partneritet është ndërtuar mbi parimet dhe vlerat që ndajmë me SHBA-të dhe partnerët evropian”, tha presidenti, raporton Telegrafi.
Sipas tij, transformimi i FSK-së do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht. “Siç jemi koordinuar deri më tani do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë”, tha Thaçi, duke shtuar se ekzistenca e shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta.
Ai tha se NATO dhe partnerët ndërkombëtar duhet ta ndihmojnë Kosovën me këshilla profesionale.
“Projektligji për FSK-në ka unifikuar spektrin politik në Kosovë, prandaj jam i sigurt se të gjithë protagonistët politik do të jenë në nivel të detyrës dhe do të bëjnë me përkushtim punën e tyre. Në fund ju takon deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve që të marrin vendimin e merituar për transformimin e FSK-së, unë si president jam i bindur që deputetët nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri sepse ky është vullnet i popullit”, tha Thaçi. /Telegrafi/