Telegrafi

Thaçi: Për ta kryer detyrën e tyre, gazetarët duhet të punojnë të lirë, pa presion dhe pa kërcënime

Presidenti Hashim Thaçi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se mediat e lira e të pavarura janë shtylla të demokracisë, që garantojnë transparencën dhe llogaridhënien.

Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi thotë se gazetarët për ta kryer punën e tyre duhet të punojnë të lirë dhe pa presion.

Thaçi thekson se duhet mbrojtur, lirinë e të shprehur dhe shtypit nga presionet e kërcënimet, por edhe nga abuzimet që bëhen në emër të tyre.

“Për ta kryer detyrën e tyre, gazetarët duhet të punojnë të lirë, pa presion dhe pa kërcënime. Por, liria vjen edhe me përgjegjësinë për fjalën e thënë. Fjala ka veçanërisht peshë kur thuhet nga gazetarët dhe njerëzit e mediave.

Sot teknologjia ka shtuar mundësitë për komunikim. Interneti dhe veçanërisht mediat sociale janë bërë medium i rëndësishëm për përhapjen e lajmeve dhe informatave. Megjithatë, kjo ka shtuar edhe mundësitë për abuzime me lirinë e të shprehurit, duke keqinformuar, manipuluar dhe mashtruar publikun.

Prandaj, sot duhet edhe më shumë të angazhohemi që t’i mbrojmë, në nivel global, lirinë e të shprehur dhe shtypit nga presionet e kërcënimet, por edhe nga abuzimet që bëhen në emër të tyre”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook./Telegrafi/