Site icon Telegrafi

Thaçi për forumin në Bratislavë: Më pret debat jo i lehtë me Vuçiqin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi para nisjes për në Bratislavë ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur rreth forumit GlobSec që do të mbahet në Bratislavë.

Thaçi ka thënë se ky forum do të mbahet në një vend që ende se ka njohur pavarësinë e Kosovës, por një vend që gjithmonë e ka mbështetur konsolidimin e Kosovës dhe të ardhmen tonë evropiane.

“Është mundësia e parë që në nivel të tillë presidencial të prezantohet Kosova në këtë forum, KU do diskutohet për aktualitetin që ka Kosova. Do të prezantojë të arriturat e shtetit tonë, në prag të hapjes së kapitullit konkret për anëtarësim në Nato dhe BE”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se ky forum do të ofrojë mundësinë për të diskutuar edhe rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ketë mundësi për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësisë së arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve”, u shpreh presidenti Thaçi, shkruan Telegrafi.

Presidenti foli edhe për debatin që do ta ketë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në këtë forum, ku theksoi se nuk do të ketë takim të veçantë.

“Do të jetë debat jo i lehtë me presidentin Vuçiq. Ju i dini dallimet tona të mëdha që i kemi sa i përket aktualitetit në rajon raportet ndërfqinjësore Kosovë-Serbi. Do të ritheksojmë se dialogu duhet të vazhdohet i pakushtëzuar që të përmbyllet ky proces historik, jo i lehtë, shumë i rëndë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku do të mbylleshin të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe që do të përfundonte me njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe nga pesë vendet e tjera të BE-së”, theksoi Thaçi.

Presidenti Thaçi po ashtu tha se do në forum do të jenë edhe përfaqësuesit e BE-së, ku do të ritheksojë domosdoshmërinë që të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Do tu bëjë ftesë shteteve anëtare që kanë ende hezitime që të marrin vendimet meritore, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, tha Thaçi.

Thaçi tha se ky forum do të jetë mundësi tjetër ku do të takohet me përfaqësuese nga SHBA-të, me zyrtarë të lartë nga Departamenti i Shtetit dhe senatorë që do të jenë pjesëmarrës në këtë forum. /Telegrafi/

Exit mobile version