Site icon Telegrafi

Thaçi për marrëveshjen e murit: Më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se marrëveshja për murin – e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Goran Rakiqit, kryetarit të Mitrovicës së Veriut – është dëshmia më e mirë se problemet tejkalohen vetëm përmes dialogut, njofton Klan Kosova.

“Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje.

Kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekim të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë dhe mund ta forcojmë edhe paqen e stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin.

Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë.

Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë” (sic.), ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version