Site icon Telegrafi

Thaçi, për kishën në kampusin e UP-së: E turpshme protesta e studentëve, kisha nuk guxon të cenohet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka reaguar ndaj protestës së studentëve, para objektit të Kishës Ortodokse Serbe që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

“Është e papranueshme dhe e turpshme protesta e sotme para objektit të Kishës Ortodokse Serbe në Prishtinë dhe është e dënueshme dhuna që është manifestuar aty.

Pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, ne nuk guxojmë të lejojmë që të cenohen këto objekte, veçanërisht kur ato i përkasin komuniteteve fetare.

Çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që vazhdojmë t’i kultivojmë dhe me të cilët mburremi të gjithë.

Çdo kontest duhet të zgjidhet në mënyrë ligjore, me dialog ndërmjet palëve. E jo me veprime të njëanshme që nxisin urrejtje dhe dhunë” (sic.), ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, katër organizata studentore kishin thirrur studentët për të kundërshtuar funksionalizimin e kësaj kishe, përmes një aksioni simbolik. Kur studentët deshën të vendosin një pankartë para kishës, ndodhi një përleshje me Policinë. /Telegrafi/

Exit mobile version